Ndërlidhjet

Trump dëshiron "tërheqje të sigurt" të trupave nga Siria


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dëshiron të garantojë sigurinë e trupave amerikane, të cilat do të tërhiqen nga Siria, tha Shtëpia e Bardhë, një ditë pasi këshilltari i saj për siguri kombëtare tha se tërheqja mund të zgjasë me muaj.

"Presidenti nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe, siç ka theksuar edhe ai, qëllimi i tij kryesor është të garantojë sigurinë e trupave tona dhe sigurinë e aleatëve tanë", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Mercedes Schlapp, për Fox News.

"Departamenti i Mbrojtjes do të dalë me planin e tij operacional për tërheqje të sigurt të trupave", shtoi ajo.

Të dielën, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, shtoi një kusht të ri për tërheqjen e SHBA-së nga Siria, duke thënë se Turqia duhet të pajtohet për mbrojtjen e aleatëve kurdë të SHBA-së.

Trump, të dielën, përsëriti se SHBA do t'i tërheqë trupat e saj nga Siria, por tha se ky veprim mund të mos bëhet shpejt.

Vendimi i Trumpit për tërheqje nga Siria, i marrë në muajin dhjetor, lë shumë çështje hapur, kryesisht rreth luftëtarëve kurdë, që kanë operuar në veri të Sirisë, së bashku me forcat amerikane. Tani ka frikë se ata mund të sulmohen nga armiku i tyre - Turqia.

XS
SM
MD
LG