Ndërlidhjet

Minatorët e Trepçës në ditën e gjashtë të grevës


Minatorët e Trepçës
Minatorët e Trepçës

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça në Kosovë kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës.

Ata thonë se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.

Minatorët janë duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.

Punëtorët po ashtu po kërkojnë që sa më shpejt të miratohet statuti i Trepçës, ashtu siç parashihet me Ligjin për Trepçën.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të plotësimit të kushteve, për të cilat kanë hyrë në grevë.

“Greva është duke vazhduar, jemi në pritje. Bisedimet që i kemi pasur me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për dy pika të kërkesës, i kemi përafruar, ndërkaq sa i përket pikës një, që është rritja e pagave dhe pikës dy që është shkarkimi i bordit, nuk kemi arritur marrëveshje dhe jemi në pritje. Ne do të jemi në grevë deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Sadiku.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, të mërkurën ka kërkuar nga minatorët që të ndërpresin grevën, duke ua bërë me dije se nuk mund të ketë rritje të pagave.

Lluka ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rritja e pagave për 20 për qind aktualisht është e pamundur për shkak të gjendjes së rëndë financiare në këtë kombinat. Kurse sa i përket kërkesës për shkarkimin e Bordit, Lluka ka thënë se për këtë çështje vendos Qeveria.

XS
SM
MD
LG