Ndërlidhjet

Kryeministri Rama do ta ushtrojë edhe postin e ministrit të Jashtëm


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se ai vetë do te ushtrojë detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, në mungesë të një ministri të Jashtëm.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka bërë të ditur marrjen e përgjegjësisë së ministrit të Jashtëm, duke kritikuar presidentin Ilir Meta.

“Presidenti e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama.

Presidenti Meta ditë më parë ka refuzuar të dekretojë ministrin e emëruar Gent Cakaj. Ai, nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit tha se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Vendimi i kryeministrit shqiptar u mor pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, ku u diskutuan hapat e ardhshëm për të zgjidhur ngërçin Qeveri-President.

PS do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë.

Meta dhe Rama përplasen për ministrin e emëruar, Gent Cakaj

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut dhe vetëm dy kanë mbijetuar.

Modeli i kryeministrit që të ushtrojë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm është bërë edhe në Greqi, ku kryeministri grek Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm, mori përsipër edhe këtë post.

XS
SM
MD
LG