Ndërlidhjet

Kosova hap pikën doganore në Portin e Durrësit


Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.

Dogana e Kosovës ka hapur të martën pikën doganore në Portin e Durrësit. Kjo pikë është cilësuar nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Shqipërisë si hap që do të rrisë shkëmbimet tregtare ndërmjet dy shteteve.

Shkëmbimet tregtare përmes Portit të Durrësit pritet të shkurtojnë koston e shpenzimeve të transportit, kohën si dhe zbutjen e procedurave burokratike tregtare.

Fatmir Limaj, koordinatori kombëtar i të dy qeverive Kosovë – Shqipëri, ka thënë se integrimi i doganave mes dy shteteve është një projekt tejet i rëndësishëm.

“Pas një pune të përbashkët të ndërtimit të autostradës Shqipëri - Kosovë, ky është projekti më i rëndësishëm konkret mes dy shteteve, integrimi i doganave si vizion i përbashkët drejt unionit doganor”, është shprehur Limaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se hapja e zyrës doganore në portin e Durrësit shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e kthen kufirin Kosovë - Shqipëri në një kufi formal.

“Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkurtimi i burokracisë, i orëve të pritjes së kontrolleve, i kostove të pallogaritshme të bizneseve janë efekti e drejtpërdrejt i kësaj zyre doganore. Ne po hyjmë në një proces që na dërgon jo vetëm të bashkimi doganor, por edhe bashkimi i tregjeve”, ka deklaruar Rama.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria në Kosovë kap vlerën e rreth 200 milionë eurove në vit, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është rreth 60 milionë euro.

XS
SM
MD
LG