Ndërlidhjet

Në Kosovë përkujtohen viktimat e masakrës së Reçakut


Një djalë duke u lutur para varrezave në Reçak.
Një djalë duke u lutur para varrezave në Reçak.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.

Në shënimin e përvjetorit të kësaj ngjarjeje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ngjarjen e Reçakut e ka cilësuar moment historik.

Haradinaj është shprehur tejet kritik ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar sa i takon hetimit të vrasjes së shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë.

“Kurrkush Kosovës nuk ja ka dhënë asnjë certifikatë me i tregu se si kanë vdekur ata njerëz. Së pasi si u morën nga Krusha, nga Meja nga Berishët në Suharekë nga Abria nga Studimja, si u morën? Kush i mori? Kush i çoi? Çfarë i gjeti ata para se me vdekë? A ua morën ndonjë organ? Ai i vranë apo i dhunuan? Asnjë të dhënë nuk ia ka dhënë këtij vendi dikush. Nuk na ka dhënë askush një shpjegim, një certifikatë të thjeshtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe Kosovën, por sipas tij, ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit të Kosovës.

“Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social, Facebook.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell, ka thënë se paqja në Ballkan do të varet nga drejtësia për viktimat e Reçakut dhe familjet e tyre.

“Sot iu bashkohem njerëzve në gjithë Kosovën për të kujtuar, për një moment, viktimat e vrasjeve në Reçak dhe të gjitha viktimat në 30 vjetët e fundit”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

​Homazhe në memorialin përkujtimor në Reçak, kanë bërë edhe përfaqësues të partive politike në Kosovë dhe qytetarë të shumtë.

Vrasja e civilëve shqiptarë në Reçak ishte cilësuar "krim kundër njerëzimit" nga ish - shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Njëzet e pesë vjet nga masakra e Reçakut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:26 0:00

XS
SM
MD
LG