Ndërlidhjet

Haradinaj mirëpret çdo këshillë nga Hahn për taksën


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se mirëpret çdo këshillë që vjen nga Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, lidhur me taksën ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Haradinaj, i ka bërë këto komente pas homazheve që ka bërë te shtatorja e Gjergj Kastriot- Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij.

“Kosova ka një agjendë me BE-në për liberalizimin e vizave dhe ne kemi përmbushur të gjitha kushtet”.

“Tani ka lindur edhe një temë e re, është taksa e cila ndërlidhet me njohjen nga Serbia”, është shprehur ai.

Komisionari Hahn do të qëndrojë të enjten në Kosovë ku është paralajmëruar se do të zhvillojë një takim me kryeministrin Haradinaj.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj më 28 dhjetor Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Vendosja e taksës ndaj këtyre produkteve është kritikuar nga Bashkimi Evropian, derisa edhe zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje për shfuqizim të kësaj mase.

XS
SM
MD
LG