Ndërlidhjet

OEAK: Pengesat në tregtinë e lirë cenojnë zhvillimin ekonomik


Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), thotë se pengesat në tregtinë rajonale vështirësojnë operacionet e bizneseve amerikane në rajon, si dhe e bëjnë Kosovën më pak atraktive për investitorët amerikanë dhe të huaj.

Në një komunikatë për media, OEAK-u thotë se çfarëdo pengese në lëvizjen e lirë të mallrave, mund të cenojë prospektet e rritjes ekonomike dhe nxitjes së investimeve në Kosovë.

“Në pajtim me misionin e saj të mbështetjes së zhvillimit të raporteve reciproke ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, Oda Amerikane beson se pengesat në tregtinë rajonale vështirësojnë operacionet e bizneseve amerikane në rajon, si dhe e bëjnë Kosovën më pak atraktive për investitorët amerikanë dhe të huaj”, thuhet në një komunikatë për media të OEAK-ut.

Investitorët amerikanë, sipas OEAK-ut, synojnë të investojnë në shtete të cilat mundësojnë qasje të papenguar në tregje më të mëdha.

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se Kosova duhet t'i përmbushë këto pritshmëri për të përshpejtuar zhvillimin e saj ekonomik, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj.

Qeveria e Kosovës për më shumë se dy muaj ka vendosur taksë doganore 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

XS
SM
MD
LG