Ndërlidhjet

Haradinaj: I pakuptimtë kushtëzimi i tarifës me vazhdimin e dialogut


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e rikonfirmoi kërkesën e përsëritur të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar tarifën doganore, që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Pas komunikatës së javës së kaluar të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ku është kërkuar pezullimi i tarifës, Haradinaj zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me këshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, John Bolton, kurse sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Kosnett u takua edhe me liderë të tjerë të institucioneve të Kosovës: presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Pas takimit, asnjëri prej tyre nuk u deklarua për media.

Haradinaj foli për kërkesën e SHBA-së gjatë homazheve që i bëri te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.

“Unë kam shumë respekt për ambasadorin amerikan dhe SHBA-në. Amerika për mua është familja ime edhe kur nuk ndaj mendim të njëjtë me të”, tha Haradinaj.

Por, edhe këtë herë, Haradinaj, i cili mbetet njëri prej udhëheqësve të vetëm të institucioneve më të larta në Kosovë që po e kundërshton pezullimin e tarifës, tha se “është i pakuptimitë kushtëzimi i dialogut me heqjen e taksës”.

“Nëse ka vullnet të mirë për të ndihmuar procesin e dialogut, nuk është e vetmja mënyrë heqja e taksës. Nëse dëshirojmë të ndihmojmë dialogun, atëherë të kërkohet vazhdimi i dialogut pa kushte, e në tavolinë të bisedohet për të gjitha, edhe për taksën, edhe për çkado tjetër”, tha Haradinaj.

“Serbia ka marrë shumë vendime të brendshme, asnjë nga to nuk ka qenë kusht që ne të mos shkojmë në tavolinë. Nëse zonja Federica Mogherini (v.j. ndërmjetësuese e dialogut) do që të vazhdojë dialogun, le të vazhdojë“, tha Haradinaj.

Ditëve të fundit, janë shfaqur mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e pezullimit ose jo të taksës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Këto mospajtime vlerësohet se janë duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e koalicionit qeverisës, marrë parasysh faktin që Partia Demokratike e Kosovës dhe udhëheqësi i saj, Kadri Veseli, janë pajtuar për pezullimin e tarifës.

XS
SM
MD
LG