Ndërlidhjet

Irani thotë se ka kryer me sukses testimin e një rakete


Raketa Hoveizeh 8 e prodhuar në Iran.

Media shtetërore iraniane ka raportuar se Irani ka kryer me sukses testimin e një rakete të re, me rreze veprimi prej 1,350 kilometrash.

Testimi i kësaj rakete vjen në ditën kur Irani feston 40-vjetorin e revolucionit islamik të vitit 1979.

“Testimi i raketës Hoveizeh është kryer me sukses në një rreze prej 1,200 kilometrash dhe me një saktësi goditi objektivin e synuar”, tha ministri i Mbrojtjes, Amir Hatami.

Ai gjithashtu tha se kjo raketë është prodhuar krejtësisht në Iran, pa ndihmë të huaj.

Njëra nga arsyet se pse Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila lehtësonte sanksionet ekonomike ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, ishte se Irani nuk ka hequr dorë nga zhvillimi i raketave dhe mund të paraqesë rrezik për Izraelin.

Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 2015, i bën thirrje Teheranit “të heqë dorë nga zhvillimi i raketave me kapacitet bërthamor prej një periudhe prej 8 vjetësh”.

Teherani thotë se raketat e tij nuk mund të bartin koka bërthamore.

Testimi i sotëm i raketës në Iran, nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

XS
SM
MD
LG