Ndërlidhjet

Disa shtete të BE-së priten ta njohin Guaidon si president të Venezuelës


Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido

Shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian pritet që ta njohin liderin opozitar, Juan Guaido si president të Venezuelës, teksa afati prej tetë ditësh për presidentin Nicolas Maduro për të shpallur zgjedhje të reja, kalon sot.

Maduro ka refuzuar kërkesën e shtetit të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Spanjës, Portugalisë, Holandës dhe Belgjikës, duke e cilësuar si “pafytyrësi”.

Maduro u tha mbështetësve të tij gjatë një tubimi më 2 shkurt në Karakas se “unë jam presidenti i vërtetë i Venezuelës”.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shtetet kyçe të rajonit – përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Argjentinë – tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Guaidon.

Shtetet e tjera, përfshirë Rusinë – që kanë lidhje të ngushta ushtarake me Qeverinë socialiste të Venezuelës – mbështesin Maduron.

Maduro publikisht ka falënderuar homologun e tij rus, duke thënë se Vladimir Putini “po na jep mbështetje në të gjitha nivelet”.

Uashingtoni i ka bërë thirrje ushtrisë së Venezuelës që të mbështesë liderin opozitar dhe një gjeneral në forcat ajrore, Francisco Yanez është bërë ushtaraku i parë që ka njohur Guaidon si udhëheqës të shtetit.

Guaido, 35 vjeç, shpalli vetën president të përkohshëm më 23 janar, teksa dhjetëra mijëra persona protestuan në mbarë Venezuelën kundër Maduros, i cili ka bërë betimin si president në muajin janar.

Të paktën 35 persona janë vrarë gjatë protestave në Venezuelë.

Maduro, i cili ka ardhur në pushtet më 2013, pas vdekjes së Hugo Chavez, është kritikuar për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe për mënyrën se si ka menaxhuar krizën ekonomike në vend.

XS
SM
MD
LG