Ndërlidhjet

Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për rastin në Drenas


Parlamenti i Kosovës.
Parlamenti i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të premten një seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e fundit të raportuar të abuzimit seksual të një vajze në Komunën e Drenasit.

Seanca, e cila është caktuar të nisë në orën 12:00, është thirrur me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe subjektit Alternativa.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se raste si ajo që ndodhi në Drenas, nuk do të tolerohen.

“Mbledhja e Kryesisë ishte kërkesë e jashtëzakonshme e 40 deputetëve. Në Republikën tonë ka ndodhur një rast i një abuzimi me një të mitur. Ky është rast i rëndë, i pamoralshëm, në botën demokratike kjo quhet pedofili. Po ashtu është abuzim i pozitës zyrtare. Këto gjëra nuk do të tolerohen, ky është mesazhi”, është shprehur ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se kjo seancë është thirrur pasi lidhur me këtë rast kërkohet “përgjegjësi institucionale”.

“Gjatë këtyre ditëve ne kemi qenë dëshmitarë të një tragjedie që ka ndodhur në Drenas, në raport me ngacmimin seksual, përdhunimin, por po ashtu edhe abortin e paligjshëm. Natyrisht kjo ngjarje do të duhej të na thërriste në përgjegjësi pasi kjo është përgjegjësi institucionale”, ka thënë Haxhiu.

Abuzimi seksual i vajzës nga Drenasi është thënë të ketë filluar kur ajo ka qenë vetëm 16 vjeç, fillimisht nga profesori i saj.

Pas denoncimit në polici nga viktima, hetuesi policor kishte abuzuar seksualisht me të dhe në janar të këtij viti, e kishte detyruar të kryente abort të padëshiruar në një klinikë private në Prishtinë.

Autoritetet kanë arrestuar zyrtarin policor dhe mësimdhënësin.

XS
SM
MD
LG