Ndërlidhjet

Khamenei: "Vdekje Amerikës" i drejtohet Trumpit, jo popullit


Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se slogani "Vdekje Amerikës" i drejtohet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe vendimmarrësve të tjerë amerikanë, e jo kombit amerikan.

"Vdekje Amerikës do të thotë vdekje Trumpit, John Boltonit (v.j. këshilltarit për siguri kombëtare) dhe Mike Pompeos (v.j. sekretarit amerikan të Shtetit). Do të thotë, vdekje sundimtarëve amerikanë", tha Khamenei në një tubim të zyrtarëve të Forcës Ajrore të Iranit, me rastin e 40-vjetorit të Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Slogani zakonisht thirret në tubimet dhe ngjarjet e organizuara nga shteti, duke përfshirë edhe faljen e Xhumasë.

"Ai do të thotë vdekje disa njerëzve që e udhëheqin atë vend. Nuk kemi asgjë kundër popullit amerikan", tha Khamenei.

Lideri suprem shtoi se Irani nuk do të heqë dorë nga slogani "Vdekje Amerikës" derisa Uashingtoni i vazhdon politikat armiqësore ndaj Teheranit.

Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë në rritje që nga vendimi i Trumpit, vitin e kaluar, për të dalë nga një marrëveshje e rëndësishme bërthamore dhe për t'i vënë sanksione të ashpra ekonomike Republikës Islamike.

XS
SM
MD
LG