Ndërlidhjet

Stoltenberg: FSK-ja nuk mund të hyjë në veri pa lejen e NATO-s


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në veriun e Kosovës pa pajtimin e NATO-s, duke vënë në dukje se ky është një detyrim ndërkombëtar i autoriteteve të Kosovës.

"Ne kemi një marrëveshje në Bruksel të vitit 2013 që e thotë qartë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe ne presim që kjo marrëveshje të jetë ende e vlefshme," theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës.

Stoltenberg pret që të gjithë të respektojnë këtë marrëveshje, për të cilën thuhet se është arritur përmes një këmbimi letrash më 2013 ndërmjet sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe atëbotë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se të njëjtat qëndrime ia ka shprehur edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha para gazetarëve se “Kosova i ka ofruar NATO-s një protokoll të ri të operimit për gjithë vendin pa dallim, nuk ka veri dhe jug”.

Haradinaj shtoi se Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mandatin Ushtrisë në gjithë vendin, pa dallim.

NATO-ja do të diskutojë për raportet e ardhshme me FSK-në

Sot fillon një takim dy-ditor i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe për marrëdhëniet e NATO-s me FSK-në pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e kësaj force në Ushtri të Kosovës.

Stoltenberg tha gjithashtu se misioni i KFOR-it do të mbetet i pandryshuar, pasi që kjo forcë operon në bazë të rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

“Ajo që ne po shyqrtojmë janë aktivitetet jashtë misionit të KFOR-it. Kemi projekte me FSK-në dhe ne do të analizojmë shkallën e angazhimit bazuar në faktin se shumë aleatë mendojnë se vendimi për FSK-në është marrë në kohë të gabuar” tha Stoltenberg.

Sipas agjendës së mbledhjes së ministrave të mbrojtjes, debati për Kosovën do të mbahet të enjten.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG