Ndërlidhjet

Avokati i Trumpit bën thirrje për "përmbysje" të regjimit në Iran


Rudy Giuliani.

Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit amerikan, Donald Trump ka thënë se ai favorizon “përmbysjen” e regjimit teokratik të Iranit.

Guiliani i ka bërë këto komente për Radion Evropa e Lirë në margjina të një konference për Lindjen e Mesme që po mbahet në Varshavë, dhe e cila është konsideruar nga zyrtarët iranianë si “cirk kundër Iranit”.

“Unë besoj se duhet të përmbyset ky regjim”, ka thënë Guiliani për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ai është duke treguar vetëm qëndrimet e tij personale dhe jo ato të administratës amerikane.

Administrata e Trumpit ka thënë vazhdimisht se nuk është duke kërkuar “ndryshim të regjimit” në Teheran por vetëm “ndryshim të sjelljes”.

“Nuk mendoj se kjo diktaturë teokratike mund të kthehet në forcë demokratike dhe liberale”, ka shtuar Guiliani, derisa ka akuzuar liderët iranianë për vrasje të kundërshtarëve të tyre.

“Ata janë vrasës, ata janë vrasës. Mendoj se ky regjim duhet të shkojë”, ka thënë ai.

Guiliani i ka bërë këto komente në një marsh në Varshavë të organizuar nga grupi opozitar iranian, që është në ekzil, Mujahedeen-e-Khalq, i cili një kohë është konsideruar grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Guiliani ka bërë thirrje për ndryshim të regjimit në Iran në disa raste kur ky grup ka organizuar takime.

Grupi, Mujahedeen-e-Khalq, aktualisht nuk ka mbështetje brenda Iranit.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përkeqësuar pas vendimit të presidentit Trump për t’u tërhequr nga pakti bërthamor që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore më 2015.

Përveç kësaj, autoritetet amerikane kanë rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit, duke i goditur sektorin e ekonomisë dhe atë të naftës.

Giuliani ka thënë se sanksionet kanë pasur shumë efekt.

“Unë e di këtë sepse ka pasur protesta brenda Iranit pothuajse çdo ditë, duke kërkuar përmbysjen e regjimit”, ka thënë ai.

Iranianët patën nisur vitin 2019 duke protestuar kundër kushteve ekonomike dhe korrupsionit.

Protestat janë shpërndarë në më shumë se 80 qytete, me ç’rast protestuesit kanë brohoritur kundër liderëve iranianë.

Mirëpo që nga ajo kohë, Irani nuk është përballur më me situatë të ngjashme.

XS
SM
MD
LG