Ndërlidhjet

Fajon bën thirrje për vazhdim të dialogut dhe përparim në procesin e liberalizimit të vizave


Eurodeputetja Tanja Fajon
Eurodeputetja Tanja Fajon

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimi i vizave kanë ngecur.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi të eurodeputetëve me një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Fajon njoftoi se gjatë takimit, ka bërë thirrje që këto dy çështje të zgjidhen sa më shpejt.

"Unë sinqerisht kam shpresuar se të dyja çështjet - dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës si dhe çështja e vizave për qytetarët e Kosovës do të zgjidhen brenda mandatit të Parlamentit Evropian. Por, të dyja çështjet janë të bllokuara! Bëj thirrje që të veprohet nga ana e përgjegjësve", tha Fajon.

Pas këtij takimi në Parlamentin Evropian në Strasburg ku u diskutua për Kosovën, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka theksuar qëndrimin e kësaj partie se dialogu duhet të zhvillohet si dy shtete të barabarta dhe të njihet me kufijtë e saj aktual.

" Prezantuam qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet në formatin shtet me shtet, ku Kosova e Serbia trajtohen si dy shtete te barabarta dhe i cili rezulton me një marrëveshje ku Republika e Kosovës njihet në kufijtë e saj aktual" ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se dialogu nuk mund të vazhdohet pa vendosur parime dhe kushte ndaj Serbisë.

“Ne si subjekt kemi kërkuar reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar me Serbinë dhe se secili vend normal vendos masa të tilla kundrejt një vendi armiqësor siç është Serbia në këtë rast", tha deputetja Haxhiu.

Parlamenti Evropian në shtator të vitit 2018 votoi me shumicë votash rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit kishte thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, ecuria e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim nga Brukseli, nuk ka shënuar përparime, për shkak të vendosjes së taksës 100% nga autoritetet e Kosovës, ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

XS
SM
MD
LG