Ndërlidhjet

Dy sindikata protestojnë kundër Ligjit për paga


Protesta e Sindikatës së punëtorëve të KEK-ut
Protesta e Sindikatës së punëtorëve të KEK-ut

Të enjten, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kanë protestuar Sindikata e Korporatës Energjike të Kosovës dhe punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, me kërkesën për rishikimin e Ligjit për paga, që, siç thonë, është i padrejtë.

Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në Shërbimin Korrektues, tha se kërkesë kryesore e tyre është rritja e koeficientit nga 1.85 në 2.2 si dhe caktimi i rrezikshmërisë në 40 përqind.

"Ne punëtorët e Shërbimit Korrektues e ndjejmë veten të anashkaluar në krahasim me FSK-në, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës. Edhe ne jemi pjesë e uniformës së këtij shteti", tha Sadikaj.

Ndërkaq, Nexhat Llumnica nga Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, tha se Ligji duhet të rishikohet për shkak që nuk është në favor të kompanive publike.

"Kërkojmë nga presidenti Hashim Thaçi, që mos të dekretojë këtë ligj, pikërisht amendamentin ku përshihet Korporata Energjetike e Kosovës, i bëjmë thirrje institucioneve që të shikojnë këtë ligj dhe ta bëjnë në favor të ndërmarrjeve publike e jo në degradimin e tyre", tha Llumnica.

Ligji për pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, vazhdon të kundërshtohet nga disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik.

Aktualisht në Zyrën e Presidentit të Kosovës, kanë shkuar disa ankesa nga sindikata të ndryshme, duke kërkuar mosnënshkrimin e ligjit, procedurë kjo që mundëson hyrjen në fuqi të ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do t’i shqyrtojë me kujdes vërejtjet e të gjitha kategorive, para se të nënshkruajë ligjin.

XS
SM
MD
LG