Ndërlidhjet

Trump - Thaçit: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë esencial për integrimin e Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi (majtas) dhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit të pavarësisë, tha mes tjerash se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet me qëllim që të arrihet integrimi perëndimor.

Në letër, theksohet se Shtetet e Bashkuara u mbesin partnere "të gjithë atyre, të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës".

"Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begattë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare".

"Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhjeje gjithëpërfshirëse", thuhet në letrën e presidentit amerikan.

Presidenti Trump i ka shkruar letër edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, ku mes tjerash ka kërkuar njohje të ndërsjellë në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në letrën, të cilën e ka publikuar presidenti Vuçiq, në faqën zyrtare të Qeverisë.

Trump ka kërkuar nga palët, Kosova dhe Serbia, që të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar me 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

XS
SM
MD
LG