Ndërlidhjet

Gjenerali amerikan kundështon hapur Trumpin për tërheqje të trupave nga Siria


Gjenerali amerikan, Joseph Votel.

Gjenerali amerikan për Lindje të Mesme, Joseph Votel ka thënë se ai nuk pajtohet me vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria

Votel ka thënë për kanalin CNN, se militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) jane ende aktivë në Siri dhe se forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara ende nuk janë të gatshme që të përballen të vetme me rrezikun në këtë shtet.

Komandanti amerikan i ka thënë Senatit javën e kaluar se Trump nuk është konsultuar me të kur ka njoftuar për planet rreth tërheqjes së trupave nga Siria.

Votel është vetëm një nga zyrtarët amerikanë që nuk janë pajtuar me vendimin e Trumpit në politikat rreth Sirisë.

Ndërkohë po këtë të premtë, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë nga Shtëpia e Bardhë se do të bëjë një njoftim rreth Sirisë në 24 orët e ardhshme.

“Ne kemi një varg njoftimesh fantastike që kanë të bëjnë me Sirinë si dhe rreth suksesit tonë në zhdukjen e kalifatit”, ka thënë Trump.

Mirëpo gjenerali Votel mendon ndryshe.

“Grupi militant, Shteti Islamik ende ka luftëtarë, ende ka organizatorë, ka burime, andaj prezenca jonë ushtarake është e domosdoshme për të ndjekur atë rrjet”, është shprehur ai.

Shtetet e Bashkuara kanë drejtuar një koalicion kundër IS-it në Siri, së bashku me luftëtarët kurdë dhe ata arabë, me të paktën 2,000 forca tokësore.

Vendimi i Trumpit për tërheqje të trupave ka nxitur pakënaqësi si në mes të demokratëve dhe republikanëve të partisë së tij, ashtu edhe në sferën ndërkombëtare.

Në një konferencë të mbajtur të premten në Mynih në Siguri, shefi i Agjencisë britanike të Inteligjencës, Alex Younger ka thënë se pavarësisht mposhtjes, luftëtarët e IS-it janë duke u rigrupuar sërish.

XS
SM
MD
LG