Ndërlidhjet

Haradinaj diskuton për tarifën dhe liberalizimin e vizave me komisionarin Hahn


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë pas një takimi me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, është parakusht për largim të tarifës.

Me këtë deklaratë Haradinaj duket se i është referuar taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një takimi, në margjina të një Konference për Sigurinë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

“Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perendimor. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo”, ka thënë kryeministri përmes një postimi në Facebook.

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar taksën prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, derisa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vendimi për mospezullim të kësaj mase nga Qeveria e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj ka përsëritur se tarifa do të mbetet në fuqi, derisa të arrihet qëllimi i saj, përkatësisht njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai ka përmendur të ketë diskutuar me komisionerin Hahn edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, “Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar”.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

XS
SM
MD
LG