Ndërlidhjet

Thaçi: Këtë vit arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, tha se këtë vit, do të arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Facebook, Thaçi tha se sot në Konferencën e Sigurisë, do të flasë për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Këtë vit rajoni po përmbyll dy çështje të mëdha, atë të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Thaçi.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Po ashtu, në këtë ngjarje është i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, kërkon që të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila veç tjerash, do t’u hapte perspektivën evropiane, të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG