Ndërlidhjet

Haradinaj: “Trepça” duhet të kthehet në burim jete


Kombinati "Trepça"
Kombinati "Trepça"

Situata në të cilën është gjiganti metalurgjik “Trepça” pas përfundimit të luftës së fundit, sipas kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, është turpëruese.

Në ceremoninë e shënimit të 30 -Vjetorit të Grevës së Minatorëve në Stantërg, kreu i qeverisë tha se “mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, është kthimi i Trepçës në burim jete”.

“Fakti se sot e kemi votuar statutin e Trepçës mund të na ngushëllojë, por nuk mjafton. Ne nuk e kemi regjistruar ende Trepçën si kompani në bazë të ligjit, duhet të regjistrohet, janë aksionarët që duhet t’i marrin përgjegjësitë, aksionarë janë edhe minatorët”, tha Haradinaj.

Ai ka kërkuar që pjesa e “Trepçës” në jug sa më shpejt duhet t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim.

Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se sakrifica e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore në ndërmarrjen Trepça.

Në tetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për “Trepçën”, derisa këtë vit ka miratuar edhe statutin e “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

XS
SM
MD
LG