Ndërlidhjet

Gjykata Speciale fton për intervistim deputetin Blerim Kuçi


Ilustrim.

Listës së të ftuarve për intervistim nga Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, i është shtuar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi.

Ai do të paraqitet para Zyrës së Prokurorit, më 12 mars në Hagë. Kuçi ka bërë të dituar lajmin për ftesë nga Gjykata përmes një komunikate ditën e enjte.

“Sot (e enjte) kam marrë një fletëthirrje dhe një urdhëresë për t’u paraqitur para prokurorit të lartë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, me datë 12 Mars 2019. Natyrisht se unë do ta përmbush obligimin tim dhe do t’i përgjigjem kësaj urdhërese”, ka shkruar Kuçi.

Kuçi nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar, derisa ka shtuar se kjo përpjekje për të sfiduar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të dështojë.

“Është e sata herë që në këtë mënyrë sfidohen ish pjesëtarët e UÇK-së dhe bëhen përpjekje maksimale që të barazohet lufta jonë për liri me krimet më makabre që Serbia e ka bërë në Kosovë. Unë jam i bindur se edhe kjo përpjekje, si të gjitha të tjerat deri me tash, do të dështojë. Për momentin krejt çfarë di e kam për të deklaruar për opinionin publik, është kaq sa thash më sipër”, ka shkruar Kuçi.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

XS
SM
MD
LG