Ndërlidhjet

Irani mban stërvitje detare në Ngushticën e Hormuzit


Ngushtica e Hormuzit - foto arkivi

Irani, nga sot, do të mbajë tri ditë stërvitje detare në dhe përreth Ngushticës strategjike të Hormuzit.

Zyrtarët thanë se ushtrimet vjetore do të shtrihen deri në Detin e Omanit dhe skajet e Oqeanit Indian.

Irani mban rregullisht manovra në Ngushticën e Hormuzit, që është një vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.

Komandanti i Marinës iraniane, admirali Hossein Khanzadi, i tha televizionit shtetëror se në stërvitje do të marrin pjesë nëndetëse, anije luftarake, helikopterë dhe avionë të mbikëqyrjes.

Stërvitjet, e koduara si Velayat-97, do të përfshijnë edhe qitës të raketave nga anijet, shtoi ai.

Ushtrimet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Teheranit dhe Uashingtonit, i cili, majin e kaluar, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe ka rikthyer sanksione të ashpra mbi ekonominë e këtij vendi.

Irani ka kërcënuar se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse Shtetet e Bashkuara ia bllokojnë eksportet e naftës me anë të sanksioneve.

Irani është eksportues i madh i naftës.

Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë kërcënimet e tij, duke thënë se Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit.

Lexoni edhe këtë: Irani thotë se tensionet me SHBA-në janë në nivelin më të lartë

XS
SM
MD
LG