Ndërlidhjet

Lirohet i arrestuari për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë të provave, liroi nga paraburgimi Dragisha Markoviq, i cili u arrestua tre muaj më parë në lidhje me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Atij iu shqiptua masa e paraqitjes së detyruar në qendrën policore.

Dy të dyshuarve tjerë, Nedeljko Spasojeviç dhe Marko Roshiq, iu zgjatet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë, Dragisha Markoviq, tha se pas tre muajsh “drejtësia fitoi”.

Policia e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, kishte arrestuar Dragisha Markoviq nën dyshimet se ka kryer veprën penale “ zbulim i sekretit zyrtar” në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria Special e Republikës së Kosovës, më 24 janar, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të lëshojë urdhër-arrest për Millan Radoiçiq, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

XS
SM
MD
LG