Ndërlidhjet

Qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe kundër emërimit të ministres Zhiviq


Qeveria e Kosovës

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe e kanë kundërshtuar emërimin e ministres së re të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thotë se ky emërim nuk paraqet vullnetin e popullit serb, e as legjitimitetin demokratik dhe si i tillë edhe do të trajtohet.

“Me këta persona nuk do të ketë asnjë komunikim dhe bashkëpunim nga ana e organeve shtetërore të Serbisë dhe pjesës së përfaqësuesve legjitim të të zgjedhurve të popullit serb në gjitha nivelet në Kosovë, përfshirë ato lokale dhe qëndrore” thuhet në komunikatë.

Qeveria e Serbisë vlerëson se ky veprim i pabesë i Prishtinës ka për qëllim shkatërrimin e qëndrimin të serbëve të Kosovës dhe dobësimin e pozitës së tyre politike.

Vendimin për emërimin e Dijana Zhiviq, si ministre të Bujqësisë së Kosovës e ka kundërshtuar edhe partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe e cila ka mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Përmes një komunikate, Lista Serbe thotë se ky emërim nuk e ka legjitimitetin e popullit serb.

“Nuk ka dallim mes Haradinajt dhe liderëve tjerë politik shqiptarë të Kosovës për të poshtëruar serbët” thuhet në komunikatë.

Më tutje theksohet se “Lista Serbe publikisht distancohet nga Diana Zhiviq si përfaqësuese e popullit serb" dhe se Lista Serbe nuk do të bashkëpunojë me të.

Lista Serbe në këtë komunikatë pretendon se ministrja e re vjen nga Partia e Pavarur Liberale që udhëhiqet nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq.

Petroviq është i vetmi deputet serb në Kuvendin e Kosovës që nuk është pjesë e Listës Serbe.

Reagimet nga Qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe pasojnë emërimin e Dijana Zhiviq, ministre të re të Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural nga ana e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish-ministri Nenand Rikallo, që është pjesë e Listës Serbe u shkarkua para pak ditësh pasi Partia Socialdemokrate e Kosovës e kushtëzoi votimin e buxhetit të vitit 2019 me shkarkimin e tij.

XS
SM
MD
LG