Ndërlidhjet

SHBA sanksionon zyrtarë të sigurisë në Venezuelë


Flamuri i SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar gjashtë zyrtarë të sigurisë së Venezuelës, të akuzuar për pengim të hyrjes së ndihmave në këtë shtet, derisa Karakasi ka njoftuar për transferimin e selisë së kompanisë shtetërore të naftës nga Portugalia në Rusi.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se gjashtë zyrtarët, duke përfshirë pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe policisë, janë të lidhur me presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.

“Ky hap shënjestron gjashtë zyrtarë të sigurisë, të cilët kontrollojnë shumë grupe që kanë parandaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Venezuelë, duke përkeqësuar krizën humanitare, që ka lënë miliona njerëz të uritur në Venezuelë dhe pa qasje në kujdes mjekësor, nën regjimin e Maduros” është thënë në deklaratën e këtij Departamenti.

Po ashtu më 1 mars, Maduro ka urdhëruar që selinë e kompanisë shtetërore të naftës, PDVSA, ta transferojë nga Lisbona në Moskë.

Nënpresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriquez, ka thënë gjatë një vizite në Moskë, se ky hap ka për qëllim mbrojtjen e aseteve të Venezuelës nga sanksionet e Perëndimit.

Sanksionet e reja, janë pjesë e një fushate të vazhdueshme nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump për t’i bërë presion Maduros që të japë dorëheqje dhe t’i kalojë fuqinë, presidentit të përkohshëm, Juan Guaido.

Uashingtoni i ka njohur legjitimitetin Guaidos dhe ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve të reja, meqë rizgjedhja e Maduros është konsideruar nga shumë shtete si e paligjshme.

XS
SM
MD
LG