Ndërlidhjet

Shefja e OKB-së për të drejta të njeriut kërkon qasje në rajonin e ujgurëve në Kinë


Rajoni Xinjiang, Kinë.

Shefja për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Michelle Bachelet ka thënë se ajo është duke kërkuar të ketë qasje në Kinë për të vërtetuar raportimet lidhur me zhdukjet dhe ndalimet arbitrare, kryesisht në rajonin ku jetojnë ujgurët në Xinjiang.

Rreth 1 milionë ujgurë etnikë dhe myslimanë të tjerë besohet se janë duke u mbajtur në disa qendra në Xinjiang, të cilat Kina i konsideron si zona të riedukimit dhe trajnimit.

Aktivistët në anën tjetër besojnë se këto këto qendra janë kampe masive të ndalimit.

Bachelet, e cila ka prezantuar raportin e saj vjetor para Këshillit të OKB-së për të drejta të njeriut në Gjenevë, ka thënë se stabilitetit dhe zhvillimit në Xinjiang mund t’iu kontribuojnë politikat përmes së cilave autoritetet respektojnë të drejtat e njeriut.

“Kjo zonë është në qendër të Iniciativës Rrugore, e cila mundëson korridoret tokësore në Azinë Qendrore, Azinë Jugore dhe Evropën, andaj unë jam e bindur se stabiliteti dhe siguria në këtë rajon mund të arrihet nga politikat, që demonstrojnë respektin e autoriteteve për të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë Bachelet.

Hulumtuesi i OKB-së për liritë fetare, Ahmad Shaheed, ka thënë më 5 mars se ai i ka kërkuar Kinës që ta lejojë për të vizituar Xinjiangun.

Kina, e përballur me rritje të presionit ndërkombëtar për veprimet e saj në Xinjiang, ka thënë së fundmi se është duke tentuar të largojë ekstremizmin, pas “predikimeve absurde” nga ekstremistët islamistë, që kanë kthyer disa njerëz në “demonë vrasës”.

Bachelet po ashtu ka informuar Këshillin se gjatë mbledhjeve të kësaj periudhe, zyra e saj do të prezantojë raporte specifike dhe të dhëna të reja për një mori shtetesh, duke përfshirë, Afganistanin, Iranin dhe Ukrainën.

XS
SM
MD
LG