Ndërlidhjet

SHBA sanksionon një bankë ruse për marrëveshjet me Venezuelën


Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sanksione kundër një banke të Rusisë, për shkak të marrëveshjeve të saj me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA, bëri të ditur Departamenti amerikan i Thesarit.

Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se "derisa Thesari ka vazhduar përdorimin e sanksioneve kundër regjimit të paligjshëm të ish-presidentit (të Venezuelës) Nicolas Maduro, pasuria neto e bankës Evrofinance Mosnarbank është rritur mbi 50 për qind gjatë vitit 2018".

Shtetet e Bashkuara dhe mbi 50 qeveri të tjera e njohin udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.

Sipas tyre, Maduro nuk është rizgjedhur në mënyrë të ligjshme vitin e kaluar, pasi kandidatët e opozitës nuk janë lejuar të garojnë.

"Regjimi i paligjshëm i Maduros ka përfituar nga vuajtjet e popullit të Venezuelës", tha përmes një deklarate sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

"Ky veprim tregon se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin hapa kundër institucioneve të huaja financiare që e mbështesin regjimin e paligjshëm të Maduros dhe kontribuojnë në rënien ekonomike dhe krizën humanitare në Venezuelë", tha Mnuchin.

Evrofinance Mosnarbank, me seli në Moskë, është themeluar në vitin 2011 dhe është në pronësi të përbashkët të një grupi bankash ruse dhe Fondit Kombëtar të Zhvillimit të Venezuelës.

Lexoni edhe këtë: Venezuelën e mbulon errësira

XS
SM
MD
LG