Ndërlidhjet

SHBA akuzon Rusinë dhe Iranin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut


Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë dhe Iranin për kryerje të një varg abuzimesh me të drejta të njeriut, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, është thënë në një raport vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit.

Në këtë raport të hartuar rreth Praktikave të të Drejtave të Njeriut më 2018, Departamenti amerikan ka thënë se autoritetet ruse kanë kryer apo kanë qenë bashkëfajtore në disa raste të abuzimeve me të drejta të njeriut, qoftë në shtëpi apo në shtete të huaja, duke cituar Gadishullin e Krimesë dhe lindjen e Ukrainës.

Në Rusi, raporti thekson se pjesë e abuzimeve kanë qenë pjesëtarë të komunitetit LGBT në Çeçeni, duke përmendur arrestime dhe shtypje të lirisë së shprehjes në media.

Jashtë territorit rus, raporti thekson se autoritetet e këtij shteti, kanë luajtur “rol të rëndësishëm ushtarak në konfliktin në lindje të Ukrainës” duke përmendur edhe se forcat e Rusisë kanë vazhduar të pushtojnë Krimenë, të cilën e kanë aneksuar më 2014.

Raporti ka akuzuar Iranin për abuzim me të drejta të njeriut, në të cilat janë përfshirë ekzekutimet e personave që nuk kanë kryer krime, vrasje arbitrare, dhe torturë nga agjentë shtetërorë.

Aty është thënë edhe se Irani ka burgosur qindra politikanë, ka kufizuar lirinë e shprehjes, ka censuruar mediat dhe ka bllokuar internetin.

Jashtë territorit, raporti ka përmendur se Irani ka kontribuuar në abuzim të të drejtave të njeriut në Siri, Irak dhe Jemen. Ky vend është akuzuar për abuzim me të drejta të njeriut përmes ndihmës ushtarake që i ka dhënë presidentit sirian, Bashar al-Assad grupeve militante shiite në Irak, pa harruar edhe rebelët huthi në Jemen.

Ky ka qenë dokumenti i 43-të me radhë nga Departamenti amerikan i Shtetit lidhur me të drejta të njeriut.

XS
SM
MD
LG