Ndërlidhjet

Parlamenti britanik kundërshton Brexitin pa marrëveshje


Ilustrim.
Ilustrim.

Ligjvënësit britanikë kanë votuar kundër largimit nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje paraprake.

Me 321 vota për dhe 278 kundër ata i kanë bërë thirrje Qeverisë Britanike që të përjashtojë mundësinë e një Brexiti pa marrëveshje.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se “një shumicë e qartë” ka votuar kundër një Brexiti pa marrëveshje, ndonëse “rregulloret ligjore” përcaktojnë se Mbretëria e Bashkuar do të mund të largohej nga blloku evropian më 29 mars, nëse nuk krijohen kushte për marrëveshje.

Deputetët britanikë kanë votuar tre herë, gjatë së mërkurës.

Votimet e së mërkurës mbrëma pasuan refuzimin e planit të kryeministres May për largim nga blloku evropian, një ditë më parë.

Përveç kësaj, deputetët britanikë do të votojnë të enjten për shtyrje të afatit të Brexitit, dhe nëse edhe BE-ja pajtohet, atëherë Mbretëria e Bashkuar nuk do të largohet nga blloku evropian më 29 mars, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht.

Aktualisht duket se nuk ka pajtueshmëri në Britani për lidhjen që do të ketë ky shtet në të ardhmen me BE-në.

Çështja kryesore e diskutimit mbetet kufiri me Irlandën dhe ndikimi që ai mund të ketë në rrafshin ekonomik pas 29 marsit.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Përgatiti:Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG