Ndërlidhjet

BB: Shkalla e papunësisë në Kosovë është 29 për qind


Ilustrim
Ilustrim

Në raportin “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019” të Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thuhet se papunësia në Ballkanin Perëndimor ka shënuar ulje, duke rënë në 15.3 për qind nga 16.2 për qind sa ishte vitin paraprak.

“Papunësia ka shënuar një ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Shkalla e papunësisë sillej nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë" thuhet në raport.

Më tutje theksohet se rajoni po ashtu ka përjetuar një ulje substanciale të papunësisë afatgjate, nga një kulminacion prej 1.5 milionë njerëzve në vitin 2011 në 776,000 njerëz në tremujorin e dytë të 2018.

Megjithatë raporti potencon se papunësia mbetet sfidë e konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, ku nivelet janë dy ose tri herë më të larta se sa vendet simotra të BE-së.

Gratë kanë vazhduar të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës, por “ato kanë qenë përfituese të më shumë se gjysmës së kësaj rritjeje të punësimit”, thekson raporti.

Ndërkaq, gjendja e punësimit te të rinjtë ka vazhduar të përmirësohet. Por, megjithatë sipas raportit, mesatarisht, 50 për qind e të rinjve punonin me kontrata të përkohshme, duke i prekur kështu 8 nga 10 punëtorët e rinj në Kosovë dhe Mal të Zi.

“Përmirësimet në performancën e tregut të punës janë inkurajuese, por trendi i ngadalësuar ngrit disa shqetësime,” tha Linda Van Gelder, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se në Ballkanin Perëndimor ende ka nevojë që sektori privat të fuqizohet, me qëllim që të krijohen më shumë vende të punës.

XS
SM
MD
LG