Ndërlidhjet

Trump bën thirrje për publikim të raportit të Muellerit


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje për publikim të raportit final të Këshilltarit Special, Robert Mueller, lidhur me supozimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Në disa komente para gazetarëve, Trump ka përsëritur kritikat e tij ndaj këtij hetimi, duke e cilësuar ekzistencën e këtij procesi, shumë “qesharake”.

“Le të publikohet, njërëzit le ta shohin”, ka thënë Trump.

“Të shohim nëse ka apo jo legjitimitet”.

Komentet e tij kanë ardhur në kohën kur janë rritur spekulimet se Mueller është në përfundim të hetimit të tij, rreth asaj nëse ka pasur bashkëpunim mes ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Mueller duhet të krijojë një raport konfidencial dhe ta dorëzojë po atë te udhëheqësi i Departamentit të Drejtësisë, si dhe te Prokurori i Përgjithshëm, William Barr.

Barr më pas pritet të hartojë raportin e tij për Kongresin dhe ka thënë se dëshiron të bëjë publike sa më shumë të gjetura të Muellerit, pa e shkelur ligjin.

Presidenti Trump është ankuar vazhdimisht për hetimet e Muellerit.

“Unë kam fituar një nga proceset më të mira zgjedhore në gjithë historinë e këtij shteti… dhe tani është dikush që shkruan raport se nuk kam fituar kurrë këto vota?”, ka thënë Trump.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët ka votuar në mënyrë unanime javën e kaluar një rezolutë jo-obliguese, që parasheh se secili raport i Muellerit duhet të bëhet publik.

XS
SM
MD
LG