Ndërlidhjet

Vuçiq: Vonesat në dialogun me Kosovën mund të ndezin rajonin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Vonesat në rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi normalizimin e marrëdhënieve mund të destabilizojnë Ballkanin Perendimor i cili ende po këndjellet nga luftërat e viteve të 90-ta, tha në një intervistë për Reuters, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Çdo ditë vonesë mund të krijojë kushte në të cilat një shkendijë mund ta ndezë në flakë tërë rajonin. Vendet perëndimore duhet ta dinë këtë” tha Vuçiq.

Për të rifilluar dialogun, Serbia kërkon nga Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të Serbisë për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kanë përmendur si ide ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshjeje të paqës mes dy vendeve. Vuçiq këtë e quan "përcaktim të kufirit" ndërkaq Thaçi “korrigjim të kufijve”. Mirëpo shumë analistë këtë ide e shohin si një përpjekje shkëmbime territoriale.

"Pranimi ynë (Serbisë) në Bashkimin Evropian varet nga dialogu me Prishtinën dhe nëse një ditë do të arrijmë një marrëveshje", thotë në këtë intervistë për Reuters, presidenti serb Vuçiq duke shtuar se ai pret që Gjermania, Franca apo BE-ja të bëhen më aktive në procesin negociues.

"Unë mendoj se ne do të shohim disa nga nismat e tyre në të ardhmen e afërt," tha ai, pa dhënë më shumë detaje.

XS
SM
MD
LG