Ndërlidhjet

Bardosh: Pak gjasa për një marrëveshje Kosovë-Serbi më 2019


Presidenti i Kosovës, hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Kosovës, hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Ndihmës drejtori në Institutin Hariman të Universitetit Kolumbia, Gordon Bardosh, tha se nuk është optimist që këtë vit mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Eksperti për Evropën Juglindore, i tha Radios Evropa e Lirë, se në Prishtinë dhe Beograd mungojnë kapacitetet politike për të arritur një marrëveshje.

“Pikëpamja ime për situatën është kjo: në Prishtinë dhe Beograd nuk ka kapacitete politike që tash të arrijnë një marrëveshje. Gjithashtu, nuk është e qartë sa ka mbështetje në Bruksel dhe Uashington për këtë. Kam përshtypjen se në këtë moment nuk duket se do të ndodhë diçka e rëndësishme” deklaroi Bardosh.

Eksperti nga SHBA-të, tërheq paralele mes bisedimeve Kosovë-Serbi dhe procesit të komplikuar që kishte ndodhur në bisedimet për arritjen e marrëveshjes së Dejtonit për paqen në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Nëse kujtojmë luftën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjithë atë që bëri qeveria amerikane kur Richard Holbrooke (1941 –2010) i dërgoi liderët (e Serbisë, Bosnjës dhe Kroacisë) në Dejton dhe i la aty për tre javë derisa u dakorduan për një marrëveshje. Kur e shohim këtë nivel të angazhimin, mendoj se jemi larg një marrëveshje për Kosovën”, tha Bardosh.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës mirëpo nga Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë thirrje që palët të ndalin veprimet që dëmtojnë procesin negociator dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kohë më parë përmes letrave dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë moment unik për të arritur një marrëveshje paqeje. Presidenti Trump ftoi dy presidentët për ta festuar atë në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG