Ndërlidhjet

Trump njeh sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, më 25 mars, 2019, në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit - rajon të cilin forcat izraelite e kanë pushtuar nga Siria në fazat e fundit të Luftës Gjashtëditëshe të vitit 1967.

Duke nënshkruar njohjen zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara është dashur ta bëjnë një hap të tillë "disa dekada më parë".

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, qëndroi pranë Trumpit në Shtëpinë e Bardhë derisa ai e nënshkroi njohjen.

Netanyahu tha se kjo është një "ditë historike" që i transformon "fitoret ushtarake të Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit në fitore diplomatike".

Netanyahu po ashtu tha se njohja nga Trumpi e bën aleancën midis Izraelit dhe Amerikës "më të fortë dhe më të madhe se kurrë".

Më herët, Siria deklaroi se është e vendosur të rimarrë Rrafshnaltën e Golanit "përmes të gjitha mjeteve në dispozicion".

Rrafshnalta Golan ndodhet rreth 60 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Sirisë, Damask, dhe mbulon rreth 1,200 kilometra katrorë.

Në vitin 2017, Trump e njohu edhe Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe urdhëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane atje nga Tel Avivi.

Ky vendim u dënua nga palestinezët, të cilët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez.

Lexoni edhe këtë: Rrafshnalta Golan mund të nxisë “kriza të reja” në Lindjen e Mesme

XS
SM
MD
LG