Ndërlidhjet

Ambasada e SHBA-së e shqetësuar nga mosfunksionalizimi i KQZ-së


Prishtinë
Prishtinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu shqetësim për, siç tha, vonesën mbi njëvjeçare për emërimin e dhjetë përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ).

"Dështimi për t'i bërë emërimet e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore", thuhet në reagimin e ambasadës.

Sipas të njëjtit, "ky dështim e ka rritur perceptimin e publikut se edhe një nga institucionet më efektive dhe jopartiake të Kosovës është i cenueshëm ndaj ndërhyrjes politike".

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që menjëherë t'i emërojë përfaqësuesit në KQZ, për të rikthyer, siç tha, "kapacitetin e institucionit për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur, në emër të popullit të Kosovës".

Ngecja e funksionalizimit të KQZ-së thuhet se lidhet me një kontest rreth përfaqësimit që do ta kenë në këtë komision partitë politike të koalicionit qeverisës.

Partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, më herët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ka kohë që i kanë dërguar propozimet e tyre për anëtarë të KQZ-së.

Por, me Kushtetutë, vendimi për emërimin e tyre i takon presidentit Thaçi.

Lexoni edhe këtë: A po e bllokon Thaçi funksionalizimin e KQZ-së?

XS
SM
MD
LG