Ndërlidhjet

Ambasada britanike tërhiqet nga rekrutimi i pozitës së kryesuesit të Bordit të ZRRE-së


Ilustrim.
Ilustrim.

Ambasada britanike në Kosovë, ka tërhequr mbështetjen për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), si pasojë e, siç thuhet, zhgënjimit me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mosvotimin e asnjërit nga kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit.

Në një komunikatë për media, ambasada ka theksuar se më 28 shkurt, deputetët kanë dështuar të votojnë kandidatët e propozuar për këtë pozitë dhe janë të detyruar të ri-shpallin konkursin. Pas këtij vendimi, ambasada ka njoftuar se nuk do të financojë procese të reja rekrutuese, "si shkak i mungesës së vullnetit të deputetëve për të emëruar kandidatë të përgatitur".

"Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuat asnjërin nga kandidatët e rekomanduar. Ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës".

"Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavaruara, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës", thuhet në komunikatën e ambasadës britanike.

Në vitin 2016, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kishin nënshkruar Memorandum mirëkuptimi, për pavarësimin e bordeve të agjencive të pavarura, proces i cili monitorohet nga Ambasada britanike.

Ambasadori britanik në Kosovë, në trevjetorin e këtij projekti, duke iu referuar punësimeve mbi baza partiake dhe familjare, kishte theksuar se "qasja e institucioneve të Kosovës në favor të nepotizmit ndikon në penalizmin e profesionalitetit, çka rrjedhimisht, sipas tij, dëmton punësimin mbi bazën e meritave në pozitat e larta drejtuese".

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, javë më parë kanë reaguar lidhur me emërimin Naser Shalës nga Kuvendi i Kosovës, në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret.

XS
SM
MD
LG