Ndërlidhjet

Shqipëri: Opozita vazhdon presionin me protesta


Pamje nga protestat e mbajtura ditë më parë në Tiranë, fotografi ilustruese.
Pamje nga protestat e mbajtura ditë më parë në Tiranë, fotografi ilustruese.

Partitë opozitare në Shqipëri, bashkë me mbështetësit e tyre kanë marshuar nëpër rrugët e Tiranës, duke shënuar protestën e shtatë, që kërkon largimin e qeverisë aktuale në krye me Edi Ramën.

Edhe pse u nis me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, që kishin krijuar kordon rreth institucionit më të lartë shtetëror – Parlamentit, kjo protestë vazhdoi e qetë.

Teksa protestuesit brohorisnin “Rama ik”, brenda në Kuvend mbahej seancë plenare ku po betoheshin dy deputetë të rinj, të cilët kanë qenë në rend pritjeje në listat zgjedhore.

Betimi i këtyre deputetëve vjen disa javë pasi ligjvënësit që kishin fituar mandatet, në formë “proteste dhe moslegjitimimi” të qeverisë, dogjën mandatet që kishin fituar në zgjedhjet e kaluara.

Protestuesit përgjatë protestimit të tyre, u spostuan te Ministria e Brendshme ku hodhën ngjyrë të zezë dhe kërkuan lirimin e personave të ndaluar në protestat e kaluara.

Më pas, turma e njerëzve vazhdoi marshimin te selia e Partisë Demokratike, ku përfundoi protesta.

Qeveria, në anën tjetër, ka cilësuar organizimin e protestave nga Lulzim Basha si “agjendë e Rusisë” në Ballkan, duke thënë ato kanë për qëllim vetëm destabilizimin e vendit dhe bllokimin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Opozita që ka kaluar në mosbindje civile, tashmë që disa javë, ka marrë masa proteste kundër qeverisë dhe kërkon largimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie të përkohshme që të organizojë zgjedhjet e parakohshme.

XS
SM
MD
LG