Ndërlidhjet

Turqia mban zgjedhjet lokale


Votimet në Ankara.
Votimet në Ankara.

Qytetarët në Turqi po votojnë sot në zgjedhjet lokale, ku disa sondazhe kanë lënë të kuptohet se partia në pushtet, e presidentit Recep Tayyip Erdogan mund të mposhtet në kryeqytetin Ankara, por edhe në disa qytete të tjera të mëdha.

Zgjedhjet e sotme lokale, janë të parat që prej se Erdogani zgjeroi fuqitë e tij më 2017, kur u miratuan reformat kushtetuese, që i japin presidentit fuqi ekzekutive.

Zgjedhjet po mbahen në 1,389 komuna dhe mijëra këshilla komunalë.

Gjatë ditës, pati dhunë në juglindje të vendit dhe në Stamboll. Dy anëtarë të një partie të vogël islamike dhe një vëzhgues i zgjedhjeve, u vranë në provincën Malatya. Sipas mediave, një person është arrestuar për këtë rast.

Në Diyarbakir, dy persona janë lënduar – njëri në gjendje kritike – pasi u therën me thikë, gjatë një zënke në mes të kandidatëve, njoftuan burimet. Dhjetëra persona po ashtu janë lënduar në disa përleshje që lidhen me procesin zgjedhor në juglindje të vendit, raportojnë mediat.

Një person është therur teksa 15 persona u përleshën në Stamboll, tha një burim nga policia.

Rreth 553 mijë policë dhe forca të sigurisë janë sot në detyrë, për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Erdogan dhe partia e tij, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) – që kanë fituar të gjitha zgjedhjet prej vitit 2002 – po përballen me kundërshti, për shkak të recensionit, rritjes së papunësisë dhe inflacionit.

Erdogan ka bërë fushatë në mbarë Turqinë në ditët e fundit edhe pse ai personalisht nuk kandidon në këto zgjedhje.

Në Ankara, kandidati opozitar për kryetar, Mansur Yavas, sipas sondazheve është duke prirë. Erdogan vazhdimisht e ka sulmuar atë gjatë tubimeve zgjedhore, duke e akuzuar për falsifikim dhe evazion fiskal.

Yavas, i cili ka garuar për të parin e Ankarasë edhe më 2014, por që kishte humbur, i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai në këto zgjedhje do të përballet me ish-ministrin e Urbanizmit, nga partia AKP, Mehmet Ozhaseki.

Në këto zgjedhje, 57 milionë njerëz kanë të drejtë vote.

XS
SM
MD
LG