Ndërlidhjet

Arrestohet themeluesi i Wikileaks-it, Julian Assange


Julian Assange
Julian Assange

Policia angleze njoftoi se ka arrestuar themeluesin e Wikileaks-it, Julian Assange brenda ambasadës së Ekuadorit .

Policia tha se u ftuan në ambasadë nga ana e ambasadorit të Ekuadorit pasi paraprakisht qeveria e këtij vendi e tërhoqi statusin e azilit për Julian Assange.

Julian Assange pas arrestimit
Julian Assange pas arrestimit

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, tha se arrestimi i Julian Assange tregon se "askush nuk është mbi ligjin"

Por, Wikileaks ka shkruar në Twitter se Ekuadori kishte vepruar në mënyrë të "paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare" kur e tërhoqi azilin politik të Julian Assange .

Ai do të paraqitet pranë një Gjykate në Westmister “sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia angleze gjatë arrestimit të Julian Assange
Policia angleze gjatë arrestimit të Julian Assange

Assange është fshehur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, për të iu shmangur ekstradimin në Suedi ku akuzohej për sulme seksuale dhe pretendimet për përdhunimet e dy grave në vitin 2010.

Prokurorët suedezë e liruan nga akuzat gjatë vitit të kaluar, por Assange ishte ende subjekt i një urdhër arresti britanik për shkelje të rregullave të lirimit me kusht në vitin 2012.

Ai fillimisht u mirëprit në ambasadë, por pasi në Ekuador pati ndryshime në përbërjen e qeverisë, autoritetet filluan të reduktonin kontaktet e tij me të huajt dhe të zvogëlonin qasjen e tij në Internet.

Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, tha se e tërhoqën azilin diplomatik për shkak të shkeljeve të përsëritura të konventave ndërkombëtare.

Britania i ka dhënë Ekuadorit një garanci se themeluesi i Wikileaks nuk do të ekstradohet në ndonjë vend, ku mund të dënohet me vdekje, tha Presidenti Moreno.

"Në përputhje me angazhimin tonë të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare, kam kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar që të garantojë që Assange nuk do të ekstradohet në ndonjë vend ku mund të përballet me tortura ose me një dënim me vdekje", tha Moreno në një video të postuar në Twitter.

Ai shtoi se në përputhje me rregullat, qeveria britanike dha një garanci me shkrim, raporton Reuters.

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se Assange nuk është hero dhe se arrestimi i tij është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të diplomacisë. Hunt, sipas Reuters, tha se për rastin e Assange do të vendosë sistemi ligjor britanik që është i pavarur.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, njoftoi policia britanike, duke e ndërlidhur arrestimin e tij edhe me këtë kërkesë të SHBA-së.

Australiani 47 vjeçar, Jualian Assange mund të përballet me proces gjyqësor për rrjedhjen e 500.000 dokumenteve të fshehta ushtarake të SHBA-së për luftërat në Afganistan dhe Irak.

XS
SM
MD
LG