Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale nis hetime ndaj ish-ministrit Teodosijeviq


Ilustrim
Ilustrim

Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kosovë i kërkoi Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës që të hapë rastin për hetimin e ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili, ditë më parë, u shkarkua nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të, siç u tha, deklaratave fyese dhe nxitëse të urrejtjes.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Hoxha tha se rasti ndaj ish-ministrit Teodosijeviq tashmë është hapur.

“Prokuroria është në proces të grumbullimit të provave lidhur me deklaratën që e ka dhënë Todosijeviq, për të parë nëse ajo përmban nxitje të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare. Hetimi shkon kryekëput në atë drejtim, mirëpo gjatë deklaratave dhe shkresave tjera që grumbullohen, varësisht, mund të rikualifikohet ose kualifikohet edhe ndodnjë vepër tjetër penale”, theksoi prokurori Hoxha.

Ish-ministri Teodosijeviq, përfaqësues i Listës Serbe, gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, e ka cilësuar këtë intervenim si “agresion të NATO-s”, ndërkaq shkak i këtij intervenimi, siç ka thënë ai, “ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

“Ishin ata, shqiptarët terroristë, që e kanë trilluar këtë dhe që kanë bërë krimet më të rënda në Kosovë, për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur”, ka thënë ministri i shkarkuar, Teodosijeviq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 9 prill, e ka shkarkuar Teodosijeviqin nga posti i ministrit, duke e vlerësuar deklaratën e tij si “gjuhë e patolerueshme e urrejtjes” dhe “fyerje për viktimat e Reçakut”.

XS
SM
MD
LG