Ndërlidhjet

Plani i paqes për Lindjen e Mesme të pranohet me "mendje të hapur", thotë Kushner


Jared Kushner, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner u bëri thirrje një grupi të ambasadorëve që të mbajnë “mendjen e hapur” lidhur planin e paqes për Lindjen e Mesme të cilin pritet ta paraqesë presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Kushner ka thënë se propozimi do të kërkojë kompromise prej të dyja palëve në Lindjen e Mesme, kanë bërë të ditura burime të cilat e kanë dëgjuar fjalimin e tij.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se plani do të bëhet publik pasi të formohet qeveria e re në Izrael, si dhe pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në fillim të qershorit.

Sipas këtij burimi, që nuk ka dashur të identifikohet, Kushner ka thënë se “të gjithë duhet të kërkojmë kompromise që do ta bënin paqen të arritshme”.

Jared Kushner, një nga arkitektët kryesor të propozimit të paqes dhe i cili është i martuar me Ivanka Trump, vajzën presidentit Trump, foli për rreth 100 ambasadorë nga e gjithë bota.

Çfarë do të përmbajë plani?

Plani i paqes do të ketë dy pjesë kryesore: pjesën politike që do të adresojë thelbin e çështjeve politike siç është statusi i Jerusalemit, dhe pjesën ekonomike e cila ka për qëllim ndihmën për palestinezët në mënyrë që të fuqizojnë ekonominë.

Mbetet e paqartë nëse plani do të propozojë krijimin e një shteti palestinez, kërkesë kjo kryesore e palestinezëve.

Gjatë fjalimit të tij Kushner ka potencuar se pjesa politike e planit është shumë e detajuar, ka thënë ky burim, raporton Reuters.

Ai tha se plani do të kërkojë lëshime nga të dyja palët, por nuk do të rrezikojë sigurinë e Izraelit, tha burimi.

Pikërisht për këtë kërkohet që të gjithë t’i qasen planit me një "mendje të hapur".

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka bërë komente.

XS
SM
MD
LG