Ndërlidhjet

OBSH: Mbi 200 persona të vrarë nga luftimet në Libi


Pjesëtarë të Ushtrisë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti, Khalifa Haftar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nga luftimet mes forcave rivale në kryqytetin e Libisë, Tripoli, kanë vdekur 205 persona, duke njoftuar se ky trup do të angazhojë specialistë mjekësorë për të trajtuar të plagosurit.

Përleshjet, që kanë nisur në fillim të muajit prill kanë kërcënuar nisjen e një lufte civile të shkallës së vitit 2011 kur ishte larguar nga pushteti diktatori, Moammar Gadhafi.

Këto luftime kanë ndikuar edhe në shtyrjen e bisedimeve të organizuara nga Kombet e Bashkuara për pajtim, ashtu që Libia të lirohet nga kaosi që është përfshirë prej largimit të Gadhafit nga pushteti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se do të dërgojë në Libi staf mjekësor për të trajtuar të plagosurit, numri i të cilëve ka arritur në 913. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se sa civilë janë në mesin e të vdekurve.

Luftimet në Tripoli kanë nisur si pasojë e përleshjes së Ushtrisë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti, Khalifa Haftar, dhe milicive tjera, që janë të lidhura me Qeverinë e Libisë, të përkrahur nga Kombet e Bashkuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 25,000 persona janë zhvendosur si pasojë e luftimeve.

Ndërkohë, forcat e Haftarit kanë thënë se kanë pushtuar të enjten bazën ajrore, Tamanhint, në jug të Libisë, e cila më parë ka qenë nën kontroll të një grupi të lidhur me Qeverinë në Tripoli.

Libia, vend i pasur me naftë në Afrikën e Veriut, është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për pushtet qëkur sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG