Ndërlidhjet

BE-ja ia përsërit Britanisë: Nuk e rihapim marrëveshjen e Brexit-it


Ilustrim
Ilustrim

Komisioni Evropian sërish përjashtoi mundësinë e rihapjes së marrëveshjes së Brexit-it të dakorduar me britanikët në fund të vitit të kaluar.

BE-ja e përsëriti qëndrimin pas informacioneve se kryeministrja britanike, Theresa May u kishte kërkuar këshilltarëve të saj të rishikojnë marrëveshjen në pjesën që ka të bëjë me kufirin irlandez.

“Përjashtojmë mundësinë që të rinegociojmë ose rihapim marrëveshjen sepse tashmë kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Ndërkohë, nga Londra bëhet e ditur se bisedimet mes qeverisë dhe opozitës do të vazhdojnë pas pushimeve për festën e Pashkëve.

Ministrat e kabinetit do të takohen me figura të larta të opozitës në një përpjekje për të zgjidhur bllokimin për një marrëveshje të Brexit-it që mund të fitojë mbështetjen e deputetëve.

Parlamenti britanik nuk i ka miratuar disa versione të marrëveshjes së Brexit-it të cilat kryeministrja Theresa May i kishte propozuar për votim.

Kjo bëri që kryeministrja May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian të pajtohen për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

XS
SM
MD
LG