Ndërlidhjet

SHBA përgëzon PZAP-in e KQZ-në për certifikimin e kandidatëve në veri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, ka përgëzuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e të gjithë kandidatëve të kualifikuar për zgjedhjet për kryetarë komunash në katër komunat veriore të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do të mbahen më 19 maj.

“Ambasada e SHBA-së përgëzon Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin për të certifikuar të gjithë kandidatët e kualifikuar për zgjedhjet e 19 majit për kryetarë komunash në katër komunat veriore dhe lëvdon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për veprimin e shpejtë në konfirmimin e vendimit të PZAP-it dhe procedimin me aktivitete që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri”, thuhet në kumtesën për media të Ambasadës.

Sipas saj, kryetarët që do të dalin nga këto zgjedhje, duhet të përmbushin mandatet e tyre, duke punuar brenda institucioneve të Kosovës.

“Një KQZ jopartiake dhe e kompletuar me anëtarë është qenësore për rregullimin dhe monitorimin efektiv të zgjedhjeve, të cilat janë element themeltar i demokracisë së Kosovës. Pas zgjedhjeve për kryetarë komunash, kandidatët fitues duhet të përmbushin mandatet e tyre, duke punuar brenda institucioneve të Kosovës në emër të zgjedhësve të tyre”, thuhet në kumtesën e Ambasadës.

Katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, nuk kishin arritur të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak se dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin abstenuar në votim, duke pamundësuar certifikimin.

Por, të enjten, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përmes një vendimi e urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë këtë subjekt politik dhe kandidatët e tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale për katër komunat veriore.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për taksën 100% që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG