Ndërlidhjet

Prokurori i Përgjithshëm amerikan refuzon të dëshmojë për raportin e Muellerit


Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Udhëheqësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, William Barr, ka informuar Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve se nuk do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore, lidhur me raportin e këshilltarit special, Robert Mueller, duke rritur mundësitë për betejë të ashpër në mes të demokratëve dhe administratës amerikane.

Prokurori Barr, ka thënë para Komitetit Gjyqësor të Senatit, të kontrolluar nga republikanët se ai nuk do të jetë pjesë e Komitetit të drejtuar nga demokratët për shkak të mosmarrëveshjeve të lidhura me formatin.

Pavarësisht njoftimit të tij, drejtuesi i Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerold Nadler ka thënë se ai ende do të organizojë seancën.

“Unë shpresoj dhe pres që prokurori i përgjithshëm do ta shqyrtojë mundësinë që të jetë aty”, ka thënë Nadler.

Barr ka thënë se ka kundërshtuar formatin e seancës pasi demokratët kanë vendosur që një staf i avokatëve të kryejë një raund të pyetjeve pasi të përfundojnë kërkesat ligjvënësit.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec ka thënë se pyetjet shtesë janë “të pashembullta dhe të panevojshme”.

Ende nuk është bërë e qartë nëse Nadler do të nisë një thirrje të detyrueshme për prokurorin Barr, apo nëse ai do të paraqitet në seancë pasi të diskutohen kushtet e takimit.

Barr është paraqitur para senatorëve në Komitetin Gjyqësor të Senatit derisa demokratët i kanë kërkuar që të theksojë dallimet që ata kanë vlerësuar se ekzistojnë në mes të raportit të Muellerit dhe versionit të redaktuar që ka publikuar ai.

Para paraqitjes së prokurorit Barr, një tjetër Komitet i Kongresit ka publikuar një letër që Mueller i ka shkruar prokurorit amerikan duke u ankuar se përmbledhja që ai i ka bërë raportit “nuk ka përfshirë kontekstin, natyrën dhe substancën” e përfundimeve të tij.

Demokratët kanë akuzuar prokurorin Barr se ka mbrojtur presidentin amerikan, Donald Trump dhe ka analizuar vetë raportin e Muellerit, duke deklaruar se presidenti amerikan nuk ka kryer krim.

XS
SM
MD
LG