Ndërlidhjet

Topalli: AKI vlerëson se te kthyerit nga Siria nuk paraqesin rrezik


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni citohet të ketë thënë se 110 personat e kthyer në Kosovë nga Siria nuk paraqesin rrezik serioz për vendin. Maxhuni i ka bërë këto komente gjatë raportimit të tij, para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së AKI-së.

Kryetari i këtij komisioni parlamentar, Faton Topalli ka thënë se në bazë të të dhënave që ka prezantuar drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, të kthyerit kryesisht gratë dhe fëmijët kanë qenë viktima në këtë konflikt.

“Sipas informacioneve që kemi ne, personat e kthyer janë profilizuar saktësisht dhe ekzistojnë informacionet e nevojshme për ta dhe nuk ka ndonjë rrezik akut për sigurinë e Republikës së Kosovës. Një, për faktin që shumica prej tyre janë viktima, shumica e grave janë viktima, fëmijët janë viktima në këtë konflikt. Prandaj nuk ka rrezik të rëndë për Republikën e Kosovës dhe nuk ka as informacione se mund të ndodh diçka edhe pse kurrë nuk përjashtohet, por rrezikshmëria që është përcaktuar nga AKI-ja nuk ka ndonjë rrezik”, deklaroi Topalli.

Topalli ka bërë të ditur poashtu se 110 personat e kthyer nuk kanë rezistuar që të ktheheshin në Kosovë, mirëpo këtë gjë e kanë bërë me pëlqimin e tyre.

Sipas informacioneve të AKI-së, besohet se 93 shtetas kosovarë kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit të Sirisë duke përfshirë luftëtarë, gra dhe fëmijë.

Një ditë pas kthimit të 110 kosovarëve, drejtori i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, pohuan se në Siri ende mbesin rreth 90 kosovarë për të cilët nuk u bë e ditur nëse do të ketë operacion të kthimit.

Mirëpo, kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Faton Topalli thotë se sipas informacioneve të AKI-së, aktualisht numri i kosovarëve që ndodhën në Siri është 65 dhe se institucionet e sigurisë janë duke punuar për kthimin në Kosovë edhe për qytetarët e tjerë të mbetur në Siri shumica prej të cilëve gjenden në kampe apo janë të burgosur.

“Janë duke u mbledhur informacionet e nevojshme. Një pjesë e tyre ndodhen në kampe ose janë të arrestuar atje. Institucionet e Kosovës janë duke vazhduar punën e tyre edhe AKI-ja për riatdhesimin e tyre në Kosovë. Pra me këta 110 kosovarët që janë kthyer nuk ka përfundua kjo çështje”, tha Topalli.

Natën e 19 prillit, institucionet kthyen nga Siria në Kosovë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë. Kosova u bë ndër vendet e para në botë që ktheu në mënyrë të organizuar qytetarët e saj nga zonat e konfliktit në Siri.

Ditën e kthimit të tyre në Kosovë, ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se shumica e grave dhe fëmijëve ishin viktima të mashtrimit dhe se meritojnë të riintegrohen në shoqëri.

Pas kthimit në Kosovë, policia arrestoi menjëherë katër luftëtarët e huaj të cilët ishin në mesin e grave dhe fëmijëve, ndërsa ndaj 32 grave rifilluan hetimet për bashkim apo pjesëmarrje në organizata terroriste. Që të gjitha grave iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri në një vendim tjetër të gjykatës.

XS
SM
MD
LG