Ndërlidhjet

FMN: Tensionet SHBA-Kinë kërcënojnë ekonominë botërore


Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se tensionet e reja tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë kërcënimi kryesor për ekonominë botërore.

Lagarde i bëri komentet në një konferencë në Paris, një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lëkundi tregjet globale, duke kërcënuar se tarifat e vëna mbi eksportet e Kinës në SHBA do të arrijnë në 25% të premten, nga niveli aktual prej 10%.

Duke folur në Forumin e Parisit, edhe ministri i Ekonomisë i Francës, Bruno Le Maire, paralajmëroi për ndikimin e luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

"Po i përcjellim me kujdes negociatat midis Kinës dhe SHBA-së. Duam që ato t'iu përmbahen parimeve të transparencës dhe multilateralizmit", tha Le Maire.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që "t'i shmangin vendimet që do të kërcënonin dhe rrezikonin rritjen ekonomike në muajt e ardhshëm".

"Rritja e tarifave është gjithmonë një bllokadë dhe vendim negativ për secilin, për SHBA-në, për Kinën, për Eurozonën, për Evropën dhe për rritjen ekonomike në gjithë botën", tha Le Maire.

Kina tha të martën se kryenegociatori i saj tregtar do të vizitojë SHBA-në për bisedime me homologët amerikanë, këtë javë.

Dy vendet, prej muajsh, janë të përfshira në negociata për zgjidhjen e problemit, pasi edhe Kina u ka vënë tarifa hakmarrëse prodhimeve amerikane.

Presidenti Trump thotë se "politikat e padrejta tregtare" të Kinës e dëmtojnë ekonominë amerikane.

Lexoni edhe këtë: Bien tregjet e aksioneve në Kinë pas kërcënimit të Trumpit për tarifa

XS
SM
MD
LG