Ndërlidhjet

Opozita braktis diskutimet për tribunalin për krimet e Serbisë


Kuvendi i Kosovës - foto arkivi

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje e lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Deputetët e dy partive politike opozitare thanë se kjo është "një tallje me qytetarët, pasi që një tribunal i tillë mund të krijohet vetëm nga Kombet e Bashkuara".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se "për krijimin e tribunalit për gjenocidin" nuk e ka pritur se do të ketë hezitim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se lëshimi i seancës nga opozita jo vetëm që është një gjë e turpshme, por edhe e paguximshme.

"Nuk mund të besoj që edhe sot, 20 vjet pas (luftës), të dëgjojmë deklarata të tilla. Është vështirë të gjenden fjalë për këtë mentalitet të ikjes nga përgjegjësitë", tha Krasniqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se është e pakutimtë se si deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën, ndërsa Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate, tha se puna duhet të vazhdojë dhe se kriminelët që kanë kryer krime, duhet të dënohen.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se partia e tij nuk pajtohet që seanca të trajtohet sikur nuk ka ndodhur asgjë në seancën e fundit, kur deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka publikuar një fotografi që pretendonte se ishte provë e dhunës seksuale ndaj grave shqiptare, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Molliqaj kërkoi nga PDK-ja që të japë përgjegjësi institucionale.

Lexoni edhe këtë: Fotografia që tronditi Kosovën

XS
SM
MD
LG