Ndërlidhjet

Iraku po synon të ulë tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit


Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi

Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi tha se vendi i tij do të dërgojë delegacione në Shtetet e Bashkuara dhe në Iran për të ndihmuar në uljen e tensioneve ndërmjet dy vendeve.

Iraku ka raporte të ngushta me të dyja vendet, Iranin dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se zyrtarët iranianë dhe amerikanë e kanë informuar Irakun se “nuk dëshirojnë luftë”.

Abdul-Mahdi gjithashtu tha se Iraku po luan rol në qetësimin e situatës por nuk është një ndërmjetës.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar anije luftarake dhe bombardues në rajon si kundërshtim të kërcënimeve në rritje nga Irani.

Të hënën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se konflikti mes këtyre dy vendeve do të përbënte “fundin zyrtar” të Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i hodhi poshtë, siç tha, "thumbat" e presidentit amerikan, Donald Trump, për "gjenocid" dhe i kërkoi atij që të mos e kërcënojë Republikën Islamike.

Tensionet mes tyre janë rritur dukshëm javëve të fundit, pasi SHBA-ja ka forcuar sanksionet kundër Iranit, ndërsa ky i fundit ka kërcënuar se do të pasurojë uranium më pranë niveleve të armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG